AMP arreston 3 policë në Orikum për korrupsion

‘Morën ryshfet’, AMP ekzekuton masat e sigurisë ndaj 3 policëve në Orikum

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zbatuar masat e sigurisë për tre punonjës të Policisë së Stacionit të Orikumit, të cilat janë caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

Tre efektivët akuzohen për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas njoftimit, këta punonjës policie, në shtatorin e vitit të kaluar, duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet e detyrës, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270.000 lekësh, me qëllim shmangien e tij nga përgjegjësia penale.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit dhe Drejtorisë Rajonale Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e GJKKO-së, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj:

  • D. L., Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum;
  • A. J., Shef i Stacionit të Policisë Orikum;
  • A. F., Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum;

këta punonjës policie janë të dyshuar për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Kriminalitetit (SPAK), u dokumentua me prova ligjore implikimi i punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim detyre.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje ligjore nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, duke dërguar email në adresën . Për ankesa mund të përdorni edhe WhatsApp në numrin 0694151511 ose të shkarkoni aplikacionin “Agjencia Digjitale” nga Play Store dhe App Store.

Scroll to Top