AMP pezullon Forcën Operacionale pas atentatit në Rinas

Atentati në Rinas: AMP pezullon zinxhirin komandues të Forcës së Posaçme Operacionale

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura në lidhje me një procedurë rekrutimi. Drejtori i AMP-së, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i AMP-së:

Me nisjen nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe një punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm.

Ky verifikim synon të sqarojë procedurat administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit të këtij punonjësi, që daton prej shtatorit 2025.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Rezultatet e këtyre veprimeve do të bëhen të ditura në komunikimet e ardhshme.

Scroll to Top