Karlo Ançeloti pritet të vazhdojë drejtimin e përfaqësueses braziliane përtej kontratës aktuale, duke shënuar një angazhim afatgjatë që mund të shtrihet deri në Kupën e Botës 2030. Ky lajm vjen pavarësisht faktit se trajneri italian ndodhet në krye të ekipit për më pak se një vit dhe rezultatet e tij nuk janë konsideruar mbresëlënëse deri më tani.
Megjithatë, burime pranë Federatës Braziliane të Futbollit shprehen të bindura se Ançeloti është zgjedhja më e mirë për stolin e ekipit kombëtar. Përfaqësues të federatës konfirmuan për median sportive “ESPN” se marrëveshja e re është thuajse gati dhe ka miratimin e të dyja palëve.
“Kemi diskutuar çështjen në detaje dhe kemi rënë dakord që pas përfundimit të ndeshjeve miqësore të zhvillojmë ceremoninë e nënshkrimit të kontratës së re,” deklaroi Samir Çaud, anëtar i Federatës Braziliane.
Edhe vetë Ançeloti ka dhënë sinjale pozitive, duke u shprehur: “Federata nuk ka kundërshtime për të rinovuar, as unë nuk kam. Nuk mendoj se do të hasim ndonjë problem.”
Sipas informacioneve të “ESPN”, kontrata e trajnerit, e cila fillimisht ishte parashikuar të skadonte në fund të Kupës së Botës 2026, do të zgjerohet deri në vitin 2030, me synimin për të marrë pjesë në Kupën e Botës të asaj periudhe. Ançeloti pritet të ruajë të njëjtin pag mujore prej 10 milionë eurosh në vit, duke u bërë kështu trajneri më i paguar në historinë e kombëtares braziliane.
Marrëveshja e re parashikon një formulë 2+2, e cila i jep mundësi të dyja palëve të shqyrtojnë vazhdimin e saj pas dy viteve të para.
