Anëtarësimi në BE, kosto të larta për sektorët e ushqimit, bujqësisë dhe prodhimit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka analizuar sfidat dhe përfitimet që do të hasin bizneset shqiptare në një treg të hapur pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kostot fillestare për përshtatjen e teknologjisë dhe standardeve janë të larta, por në afatgjatë pritet rritje e përfitimeve dhe stabilitet më i madh ekonomik.
Tre përfitimet kryesore që bizneset shqiptare presin nga anëtarësimi në BE, në aspektin e tregtisë dhe investimeve, janë:
- Hyrja pa tarifa në Tregun e Përbashkët Europian: Me rreth 450 milionë konsumatorë, tregu i BE-së ofron mundësi të reja. Heqja e doganave, reduktimi i dokumentacionit dhe ulja e kostove logjistike do të shkurtojnë kohën e dorëzimit.
- Rritja e Investimeve të Huaja Direkte: Integrimi në zinxhirët evropianë të furnizimit, sidomos në sektorë si auto-komponentë, agropërpunim, tekstil dhe BPO/IT, do të lehtësohet.
- Akses më i madh në financime dhe instrumente të BE-së: Bizneset do të kenë mundësi të aplikojnë për grante dhe kredi të lira nga institucione si EIB dhe EBRD, si dhe nga programe të BE-së (për teknologji, mjedis, inovacion, energji të rinovueshme dhe trajnime), duke u mundësuar SME-ve të kapërcejnë vështirësitë aktuale.
Integrimi në BE pritet të ketë efekte pozitive për Shqipërinë, duke rritur investimet e huaja, efikasitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë. Nga këndvështrimi i biznesit, anëtarësimi shërben si një nxitje për reforma ekonomike, sociale, politike dhe ligjore. Megjithatë, sektori privat, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), duhet të përgatiten për të rritur konkurrueshmërinë përmes investimeve dhe zbatimit të standardeve evropiane.
Kostot dhe përfitimet e bizneseve shqiptare nga anëtarësimi i plotë në BE:
Bizneset do të detyrohen të përmbushin standardet evropiane, duke përmirësuar cilësinë e produkteve, kushtet mjedisore dhe sigurinë në punë, si dhe duke ofruar shërbime më cilësore për konsumatorët. Ndër kostot kryesore përfshihen:
- Rindërtimi ose ristrukturimi i industrive joefikase.
- Papostënia e mundshme në sektorët që nuk përballojnë presionin konkurrues.
- Rritja e shpenzimeve për kualifikimin e burimeve njerëzore.
- Kostot ligjore dhe institucionale për zbatimin e legjislacionit evropian.
- Shpenzimet për inovacion dhe transferim teknologjik.
Industria prodhuese mbetet e përqendruar në disa sektorë me vlerë të shtuar të ulët. Ekonomia shqiptare kërkon ende punë për t’u rritur dhe për t’u bërë konkurruese. Një sfidë e madhe është fakti që mbi 90% e ndërmarrjeve janë biznese të vogla me 1-4 punonjës, të cilat shpesh nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të përmbushur standardet evropiane. Procesi i integrimit do të sjellë ndryshime strukturore, duke rritur konkurrencën dhe nevojën për ekonomi shkalle.
Kostot e menjëhershme për përmbushjen e standardeve të BE-së, veçanërisht në sektorët ushqim, bujqësi dhe prodhim:
Për këto sektorë, sidomos për SME-të, kostot janë të larta për shkak të mungesës së kapitalit të përshtatshëm për standardet evropiane. Investimet do të nevojiten kryesisht në teknologji, burime njerëzore dhe përputhshmëri me standardet e BE-së.
Rritja e barrës fiskale dhe kostove administrative:
Pritet një harmonizim i TVSH-së me rregullat e BE-së (minimalisht 15%), rritje e akcizave për karburant, alkool, duhan, si dhe taksa mjedisore (për ambalazh, bateri, materiale elektrike dhe elektronike). Kompanitë e mëdha do të duhet të raportojnë sipas standardeve ESG/CSRD, ndërsa SME-të do të preken gradualisht si furnizues. Megjithëse tregjet e hapura kërkojnë më shumë certifikime dhe raportime, heqja e procedurave doganore brenda BE-së do të kursejë kohë dhe kosto, duke e tejkaluar barrën shtesë për eksportuesit.
Ndikimi i hapjes së tregut në konkurrencën për SME-të:
Konkurrenca do të jetë më e fortë, veçanërisht për segmentet “low-cost” dhe për ndërmarrjet me produktivitet të ulët. Megjithatë, konsumatorët do të përfitojnë nga produkte më cilësore dhe më të lira. Hyrja e inputeve dhe teknologjisë së BE-së me çmime më të mira do të ndihmojë në rritjen e produktivitetit vendas.
Strategjitë e rekomanduara nga Dhoma e Tregtisë për përballimin e presionit konkurrues:
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI) po intensifikon punën për informimin e anëtarëve mbi përafrimin e legjislacionit me BE-në dhe ofron trajnime në fusha kyçe si standardet e cilësisë, inovacioni, financimi dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale. DHTI është gjithashtu e përfshirë në projekte IPA që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, inovacionit dhe kualifikimit profesional. Për vitin 2025 e në vijim, temat kryesore të trajnimeve do të jenë:
- Audit i përputhshmërisë me acquis të BE-së (cilësia, mjedisi, siguria, GDPR).
- Certifikimi i produktit (ISO 9001, HACCP, CE).
- Sistemet ERP dhe gjurmueshmëria.
Strategjitë për tregun e BE-së dhe klientët target përfshijnë krijimin e grupeve/konsorciumeve të eksportit me logjistikë të përbashkët dhe ndarje kostosh, si dhe asistencë për financim nga EBRD, EIB, IPA për automatizim, efikasitet energjie dhe panele fotovoltaike.
Sektorët me rritje më të madhe dhe ata me rrezik de-industrializimi:
Rritje të madhe pritet të ketë në agropërpunim dhe ushqim (vaj ulliri, fruta-perime të përpunuara, peshk, bimë mjekësore), ku standardet GLOBALG.A.P. dhe IFS/BRC janë thelbësore. Fabrikat e veshjeve dhe këpucëve do të përfitojnë nga heqja e tarifave. Industritë mekanike dhe të pajisjeve elektrike do të kenë më shumë akses në tregun e përbashkët. Megjithatë, rrezikojnë prodhuesit me produktivitet shumë të ulët dhe pa automatizim, si dhe fermat e vogla dhe thertoret që nuk përballojnë kostot e certifikimit.
Si të shfrytëzohet anëtarësimi për rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e standardeve të punës:
Bizneset duhet të rrisin aksesin në kredi dhe grante për automatizim dhe digjitalizim (linja CNC, robotikë, ERP, e-logjistikë). Programe kombëtare si “Dual Training” me praktika 6-12 mujore do të ndihmojnë në rritjen e standardeve të punës. Zbatimi i skemave “Supplier-Upgrading” do të mbështesë prodhuesit vendas për t’u integruar në zinxhirët e furnizimit të BE-së.
