Enj. Nën 22nd, 2018

Angazhimi i të rinjve për ripërtëritjen e politikës

TIRANË, 8 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Rruga Milot-Balldren, rruga e Torovicës apo rruga Shëngjin-Velipojë, e cila është kyçe për zhvillimin e turizmit, janë vetëm disa nga projektet infrastrukturore që do të ndërmarrë qeveria në qarkun e Lezhës.

Kështu deklaroi sot nga Lezha, Kryeministri Edi Rama, në vijim të fushatës së anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.

Rama tha se “PS, edhe në këtë qark dhe bashki ka nevojë të ripërtërihet në vazhdimësi dhe të ketë gjithmonë e më tepër përmasën e ëndrrave dhe energjinë e gjeneratës më të re”.

“Kemi nevojë për energjinë e të rinjve, pasi në shumë qendra PS vuan nga mbyllja dhe një lloj vjetërimi për shkak të mbylljes. Ne duhet ta çajmë së bashku këtë formë rrethimi që i bëhet strukturave të partisë, si rezultat i refuzimit për të parë nevojën themelore që partia të reflektojë shoqërinë dhe pastaj të rrezatojë vizion dhe forcë qëllimesh të përbashkëta për të ardhmen”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi po ashtu impaktin që ka politika në jetën e gjithsecilit. “Shumëkush thotë se nuk merrem me politikë dhe nuk dua të di, por gënjen veten sepse politika nuk është diçka së cilës mund t’i shpëtosh”, tha Rama.

Sa më pak njerëz të merren me politikë, sipas Kryeministrit, aq më shumë ata rrezikojnë të vuajnë për veprimet e gabuara dhe të dëmshme që mund të bëjë politika kur mbetet në dorë të pak njerëzve. Ndërkohë, ai theksoi se “sa më shumë njerëz të merren me politikë aq më e përgjegjshme bëhet politika”.

Kryeministri solli në vëmendje ndikimin e politikës në uljen e taksave apo reformën për pranimet në universitet, që sipas tij, u bënë vetëm gjatë kësaj qeverisje. “Më parë ata që paguheshin më pak paguanin më shumë taksa. Fëmija i një shoferi nga Lezha nuk mund të parakalonte fëmijën e një ministri në mjekësi, edhe nëse do të ishte më i zoti”, shtoi Rama.

Duke u ndalur te projektet për Lezhën, Rama tha se “tani kemi mundësinë të ndërmarrim këto projekte të rëndësishme në infrastrukturë, ndërsa premtoi se PS do të bëjë më tepër për Lezhën”.

“Sot kemi mundësi të bëjmë edhe tunelin dhe të mos kalohet më në atë xhepin fallco që kthehesh për të ikur në Mal të Zi”, tha Rama.

Dhe gjithçka, sipas tij, mund të ndryshojë me votë, ndaj dhe kërkoi angazhimin e të rinjve në orientimin e votës drejt PS-së.

“Nëse vota e vitit 2013 nuk do të ishte ajo që ishte shumë gjëra sot do të kishin ngelur siç ishin. Nëse vota në 2015 në Lezhë do të kishte qenë ndryshe, gjërat do të kishin shkuar ndryshe, por gjërat në Lezhë ngecën”, tha Rama.

“PS ka 100 mijë anëtarë, de fakto më pak se kaq, por ka mbi 700 mijë votues dhe potencialisht 1 milionë votues. Pjesa më e mirë e jona janë ata që nuk janë ende me ne”, tha Rama. /j.p/

Kategori