Anulohet tenderi 2.5 mln € për tituj akademikë

Sistemi 2.5 mln euro për gradat akademike, KPP “ok” AKSHI-t të anulojë tenderin, shkak pamundësia

Procedurat e prokurimit lidhur me sistemet e Teknologjisë së Informacionit duket se po hasin në një seri problemesh të vazhdueshme. Problemi më i fundit i kësaj natyre ka të bëjë me tenderin për sistemin elektronik të titujve akademikë, gradave shkencore dhe revistave shkencore, me një fond limit prej 250 milionë lekësh, ose rreth 2.57 milionë euro.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) i është drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) me kërkesën për anulimin e këtij tenderi. Më herët, ky tender ishte objekt ankimi pranë KPP-së, duke rezultuar në një sërë rekomandimesh që AKSHI duhej t’i përfshinte. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve të fundit, duket se realizimi i këtyre kërkesave ka qenë i pamundur.

Në këto rrethana, AKSHI ka kërkuar nga KPP që kjo procedurë prokurimi të zhvillohet në një moment të mëvonshëm, pasi aktualisht është e pamundur adresimi i kërkesave të propozuara. Vendimi i KPP-së sqaron se:

  • Nëse autoriteti kontraktor ka vazhduar me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit pa miratimin e Komisionit dhe ka të pamundur të reflektojë detyrat e lëna nga Komisioni në vendimin 204/2026, duhet të marrë masa për anulimin e procedurës.
  • Në rishpalljen e tenderit, duhet të merren në konsideratë të gjitha përcaktimet e bëra nga Komisioni.
  • Autoriteti kontraktor duhet të njoftojë Komisionin me dokumentet e reja të procedurës së prokurimit.

KPP thekson se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur interesin e ligjshëm të operatorëve ekonomikë ankimues dhe interesin publik. Prandaj, AKSHI lejohet të anulojë procedurën, por me kushtin që në rishpalljen e saj të jenë pasqyruar detyrat e lëna më parë nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Scroll to Top