Nesër priten reshje intensive, anulohet nisja e tragetit Vlorë-Brindisi
Ditën e nesërme, kushtet e motit do të jenë të paqëndrueshme. Priten reshje mesatare deri në intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës. Në qarqet Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë mesatare, ndërsa në Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë, reshjet pritet të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.
Bazuar në parashikimin e përkeqësimit të situatës hidrometeorologjike brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, gjatë së enjtes dhe të premtes, duke filluar nga ora 06:00 e datës 26.03.2026, pritet erë me drejtim Jug-Juglindje, me forcë deri në 6–7 Beaufort, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës (në det të hapur). Ky kufizim vlen nga ora 06:00 e datës 26.03.2026 deri në orën 06:00 të datës 27.03.2026.
Gjithashtu, anija pasagjere e linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar lundrimin dhe mbërritjen në Portin e Vlorës për ditën e nesërme.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 27.03.2026.
