Apartamenti u mbulua nga akulli: Dëme të mëdha nga kursimet në ngrohje

Incident i pazakontë! Fikën ngrohjen dhe ikën me pushime, apartamenti ‘pushtohet’ nga akulli (VIDEO)

Një apartament në Quebec, Kanada, u gjet i mbuluar me një shtresë të trashë akulli në fillim të janarit. Kjo situatë ndodhi pasi qiramarrësit e kishin fikur plotësisht ngrohjen gjatë pushimeve, duke shkaktuar shpërthimin e tubave për shkak të temperaturave ekstremisht të ulëta.

Pronari i pallatit, Jacques Nolt, tha se muret, tavani, mobiljet dhe pajisjet elektrike ishin të mbuluara nga akulli, ndërsa në dysheme formohej një shtresë prej rreth 30 centimetra akulli. Ai vlerësoi se dëmi i shkaktuar i kishte kushtuar dhjetëra mijëra dollarë.

“Çdo gjë është e shtrenjtë dhe njerëzit kërkojnë të kursejnë para, por fikja e plotë e ngrohjes nuk është zgjidhje,” tha Nolt për mediat lokale, duke paralajmëruar për rreziqet e kësaj praktike.

Përveç dëmit material, uji i ngrirë ka depërtuar në mure dhe tavane, duke rritur rrezikun e mykut. Apartamenti do të çmontohet, thahet dhe rindërtohet plotësisht me mbulimin e kompanisë së sigurimeve.

Qiramarrësit u larguan nga apartamenti më 5 janar. Mbetet e paqartë nëse pronari do të ndjekë veprime ligjore për të kompensuar një pjesë të kostove.

Ekspertët këshillojnë që në dimrat ekstremë, ulja e temperaturës është një opsion më i sigurt sesa fikja e plotë e ngrohjes, pasi kursimet e tilla mund të rezultojnë shtrenjtë dhe të rrezikshme.

Scroll to Top