Gjykata e Apelit i lejon Trumpit të dërgojë Gardën Kombëtare në Portland
Një gjykatë apeli e ndarë vendosi të mërkurën që Presidenti Donald Trump mund të dërgojë Gardën Kombëtare në Portland, Oregon, pavarësisht kundërshtimeve nga shteti dhe qyteti. Ky vendim i jep presidentit republikan një fitore të rëndësishme ligjore, ndërkohë që ai ka vendosur trupa në një numër në rritje të qyteteve të drejtuara nga demokratët.
Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të, me një panel prej tre gjyqtarësh, miratoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të pezulluar një urdhër gjyqësor që ndalonte vendosjen e Gardës Kombëtare, derisa çështja të shqyrtohet dhe të merren vendime përfundimtare.
Më 4 tetor, gjyqtarja e Portlandit, Karin Immergut, e emëruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë, kishte vendosur se presidenti me shumë gjasa kishte vepruar në mënyrë të paligjshme kur urdhëroi vendosjen e ushtrisë në qytet. Megjithatë, nga tre gjyqtarët në Gjykatën e Apelit, dy votuan në favor të Trump.
Immergut kishte bllokuar vendosjen e Gardës Kombëtare të paktën deri në fund të tetorit dhe kishte caktuar një seancë dëgjimore për datën 29 të muajit për të vendosur nëse do ta zgjeronte apo jo ndalimin.
Deri më tani, Trump ka vendosur Gardën Kombëtare në Los Angeles, Washington dhe Memphis, ndërsa ka tentuar gjithashtu të dërgojë trupa në Portland dhe Çikago. Shtetet dhe bashkitë kanë apeluar këto vendime, por gjykatat nuk kanë marrë ende vendime përfundimtare për ligjshmërinë e tyre. Në rastet e para, gjykatat kishin lëshuar vendime kundër Trump.
Gjykata e Apelit duket e ndarë në këto çështje: Qarku i 9-të më parë miratoi vendosjen e trupave në Kaliforni, ndërsa i 7-ti vendosi që Garda Kombëtare nuk duhet të vendoset në Çikago për momentin.
