APL i bën thirrje Tatimeve: Zgjidhni bllokimin e fiskalizimit

ALP drejtuar Tatimeve dhe AKSHI: Na keni bllokuar aktivitetin, zgjidhni problemin e fiskalizimit

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), organizatë që përfaqëson anëtarë nga sektorë të ndryshëm të Shqipërisë, i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) me një shkresë zyrtare. Ky komunikim ka për qëllim trajtimin e problematikave të vazhdueshme në sistemin e fiskalizimit, të cilat po shkaktojnë bllokime serioze në aktivitetin ekonomik dhe rrisin rrezikun e penaliteteve për bizneset, për arsye që nuk varen nga vetë subjektet tatimpaguese.

Problematikat e konstatuara:

  • Mos regjistrimi i certifikatës së re të fiskalizimit: Ky problem pengon rinovimin apo aktivizimin e elementëve bazë të funksionimit të sistemit dhe pamundëson vijimin normal të proceseve të fiskalizimit.
  • Mundësia e mos-hapjes së filialit të ri: Kjo pengon zgjerimin apo organizimin e aktivitetit dhe vështirëson regjistrimet e nevojshme për operimin ligjor të njësive të reja.
  • Mundësia e mos-ndryshimit të operatorit: Në rastet e largimit, shtimit apo zëvendësimit të punonjësve, kjo situatë bllokon faturimin dhe fiskalizimin, duke krijuar rrezik për ndërprerje të aktivitetit dhe probleme me klientët apo partnerët.

Aktualisht, mungon një komunikim zyrtar nga institucionet përkatëse, gjë që vështirëson planifikimin dhe veprimin korrekt nga ana e bizneseve.

Pasojat ndaj bizneseve dhe interesit publik:

Këto bllokime po sjellin pasoja të drejtpërdrejta për bizneset, duke përfshirë:

  • Ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime.
  • Rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhjeve në dokumentacion.
  • Kosto shtesë operative (kohë, staf, suport teknik, humbje klientësh).
  • Ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë.
  • Dëmtim të besimit te procesi dhe te formalizimi i tregut me anë të fiskalizimit.

Njëkohësisht, kjo situatë prek edhe interesin publik, pasi ul ritmin e qarkullimit, ndikon në arkëtimet tatimore, krijon pasiguri në faturime dhe dëmton klimën e të bërit biznes.

Kërkesat e APL:

APL kërkon zgjidhje, udhëzim dhe garanci që bizneset të mos mbartin kosto dhe përgjegjësi për probleme që janë jashtë kontrollit të tyre. Konkretisht, kërkohet:

  • Njoftim zyrtar në lidhje me afatet e rikthimit në funksionim normal të sistemit.
  • Trajtim prioritar dhe efikas për rastet kritike (ndërrim operatori, certifikatë e re, hapje filiali).
  • Mos penalizim për vonesa apo gabime që burojnë nga mosfunksionimi i sistemit, thuhet në shkresën e APL.
Scroll to Top