“`html
Hapet aplikimi për DIVA. E-tax llogarit automatikisht kompensimin e arsimit.
Është hapur sot sistemi e-Tax, i cili mundëson plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) si për individët që kanë detyrimin ta plotësojnë, ashtu edhe për ata që kërkojnë të përfitojnë kompensimin për arsimin e fëmijëve.
Siç është shpjeguar edhe më parë, kompensimi për fëmijët do të përfitohet nga individët që do të rezultojnë me tatim të mbipaguar, pra nga rillogaritja e tatimit pas zbritjes së shpenzimeve nga baza e tatueshme.
Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë vitit 2025, e llogaritur pas zbritjes së bazës së tatueshme për shpenzime prej 48 mijë lekësh në vit (pavarësisht nivelit të ardhurave) dhe 100 mijë lekësh nëse të ardhurat janë deri në 1.2 milionë lekë, do të jepet si kompensim për fëmijët. Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi.
Sistemi e-Tax llogarit automatikisht vlerën e kompensimit edhe për ata individë që nuk kanë detyrimin ta plotësojnë DIVA-n, pasi të kenë deklaruar të ardhurat. Për shembull, në një DIVA të plotësuar dhe dorëzuar, rezulton se të ardhurat vjetore të një individi për vitin 2025 ishin 1,470 mijë lekë. Tatimi i paguar gjatë vitit ishte 144,424 lekë.
Individit i janë zbritur nga të ardhurat nga punësimi:
- Zbritje sipas nenit 22, pika 1, germat a, b dhe c, me vlerë 360 mijë lekë në vit (ose 30 mijë lekë në muaj).
- Kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij nën 18 vjeç, me vlerë 48 mijë lekë.
Në DIVA pasqyrohet se baza e të ardhurave të tatueshme, pas zbritjes, arrin në vlerën e 1 milionë lekëve. Llogaritja e tatimit vjetor të paguar është 138,184 lekë.
Tatimi i mbipaguar rezulton në vlerën e 6,240 lekëve (144,424 lekë – 138,184 lekë). Kjo shumë përfaqëson vlerën e kompensimit dhe mund të tërhiqet pasi të bëhet kërkesë pranë tatimeve rajonale brenda 3 muajve nga afati i plotësimit të DIVA-s.
Detyrimin për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit, ata që janë të dypunësuar, si dhe ata që kanë krijuar të ardhura të padeklaruara mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja, honorarë, etj.
Një risi këtë vit është plotësimi i DIVA-s nga individët që kërkojnë të përfitojnë kompensimin e fëmijëve. Për të gjithë individët që plotësojnë për herë të parë deklaratën vjetore të të ardhurave, ekziston mundësia e hyrjes përmes faqes së tatimeve, te rubrika e-Shërbime për individët, duke futur të dhënat nëpërmjet e-Albania.
“`
