BBC: Armëpushimi me Iranin i mirëpritur, por plagët ekonomike globale do të zgjasin
Për gati gjashtë javë, Ngushtica e Hormuzit u kthye në bllokimin më të madh detar në botë. Rreth 800 anije mbetën të bllokuara në Gjirin Persik, shumë prej tyre me ngarkesa nafte dhe gazi, pa mundur ose pa guxuar të dalin në det të hapur. Pasoja u ndjenë menjëherë në mbarë botën. U rritën çmimet e benzinës dhe naftës, biletat e avionëve u shtrenjtuan dhe normat e interesit filluan të ngjiteshin.
Përveç energjisë, shumë vende varen nga këto ujëra edhe për furnizimin me produkte të tjera petrokimike, si karburanti i avionëve, dizeli, përbërësit për plehra kimike dhe heliumi, i rëndësishëm për industrinë e mikroçipave.
Armëpushimi i shpallur gjatë natës ka sjellë një lehtësim të menjëhershëm për tregjet. Çmimi i naftës dhe gazit ra me rreth 15%, ndërsa bursat reaguan pozitivisht. Kjo ka hapur shpresën se konflikti mund të mos përshkallëzohet më tej dhe se mund të krijohet një rrugë drejt uljes së tensioneve.
Megjithatë, ekonomia globale mbetet në një moment shumë delikat dhe ka ende shumë arsye për kujdes.
Pikëpyetja e parë lidhet me vetë armëpushimin. SHBA, Izraeli dhe Irani japin versione të ndryshme për bazën e negociatave, ndaj testi i vërtetë do të jetë nëse do të ketë realisht bisedime direkte. Po aq i rëndësishëm është edhe vetë terreni: a do të rikthehet liria e plotë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, siç pretendon Donald Trump, apo trafiku do të vazhdojë të kalojë vetëm në koordinim me Iranin, siç sugjerojnë zyrtarët iranianë? Kjo ka peshë të madhe jo vetëm për naftën dhe gazin, por për të gjithë zinxhirin ekonomik global.
Sa më gjatë të zgjasë armëpushimi, aq më shumë gjasa ka që rritja e çmimeve dhe inflacioni të fillojnë të zbuten në muajt në vijim. Por njëkohësisht po ngrihet një pyetje më e madhe: a ka krijuar Irani një realitet të ri në Gjirin Persik? Edhe pa një flotë të fuqishme detare apo ajrore, Teherani ka treguar se mund të kontrollojë një nga nyjet më të rëndësishme tregtare të botës dhe madje kishte nisur të vendoste tarifa kalimi për anijet. Ka sinjale se Irani kërkon ta bashkërendojë kontrollin e ngushticës me Omanin, diçka që para luftës as nuk imagjinohej.
Një tjetër problem është dëmi afatgjatë në prodhimin global të gazit, sidomos pas goditjeve në infrastrukturë, kryesisht në Katar. Edhe nëse armëpushimi po mban, do të duhen javë për të rifilluar prodhimin dhe vite që kapacitetet të rikthehen në nivelet para luftës. Europa, e cila ka nevojë të rimbushë rezervat e saj për verën dhe dimrin e ardhshëm, do të varet nga një rrjedhë e vazhdueshme e cisternave me gaz të lëngshëm nga Gjiri. Kjo do të thotë se rreziku për faturat e energjisë ende nuk ka kaluar plotësisht.
Për momentin, ky armëpushim ka shmangur skenarin më të keq. Vetëm një ditë më parë, kishte frikë reale se nafta mund të shkonte në 200 dollarë për fuçi, me pasoja të menjëhershme për inflacionin, karburantin dhe interesat bankare. Tani, tregjet po shohin sërish mundësinë që nafta të kthehet në intervalin 60–70 dollarë për fuçi, çmimet të qetësohen dhe normat e interesit të mos rriten më tej.
Në këtë kuptim, mungesa e një përshkallëzimi të ri është një lajm i mirë për ekonominë globale. Por dëmi i vërtetë që la kjo luftë mbetet ende i paqartë. Furnizimi me gaz është goditur, ndërsa kontrolli mbi një nga arteriet kryesore ekonomike të botës ka hyrë në një fazë të re pasigurie. Pra, edhe pse tregjet po marrin frymë më lirisht, pyetja e madhe mbetet ende e hapur: sa e thellë do të jetë shenja që kjo krizë do të lërë mbi ekonominë botërore?
BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL
