Arrest në burg për tre të dyshuarit në lidhje me vrasjen e Petrit Ndout
Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e arrestit në burg për tre persona të dyshuar për vrasjen e Petrit Ndout. Të arrestuarit janë Andis Vokrri, Fatjon Kulla dhe Lorenc Sula. Gjatë seancës për vlerësimin e masave, të dyshuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre në ngjarje.
Organi hetues ka identifikuar Andis Vokrrin, 27 vjeç, si personin kryesor të dyshuar. Ai ka pranuar një konflikt fizik dhe verbal me viktimën, Petrit Ndou, por ka mohuar të ketë përdorur çekiç, duke pretenduar se nuk ka pasur me vete një mjet të tillë.
Gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për caktimin e masës së arrestit në burg për të tre të dyshuarit, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe analizimin e pamjeve filmike.
Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja, e ndodhur më 20 janar pas mesnate në një rrugë dytësore mes Fushë-Krujës dhe Mamurrasit, ka pasur si shkak një debat mes drejtuesve të dy automjeteve, i cili degjeneroi në dhunë. Viktima, 57-vjeçari Petrit Ndou, dyshohet se u godit për vdekje nga 28-vjeçari Andi Vokrri, i cili rezultoi në gjendje të dehur dhe shoqërohej nga dy personat e tjerë të arrestuar.
Fatjon Kulla dhe Lorenc Sula dyshohen për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
