Operacion i përbashkët mes SHBA-ve dhe Venezuelës, arrestohet njeriu i besuar i Maduros. Pritet të ekstradohet
Alex Saab, një aleat i ngushtë i ish-presidentit Nicolás Maduro, është arrestuar sërish pas një operacioni të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës. Ky lajm është konfirmuar nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili ka bërë të ditur se 54-vjeçari pritet të ekstradohet drejt SHBA-ve në ditët e ardhshme.
Gjatë këtij aksioni, u arrestua edhe Raul Gorrin, pronari i rrjetit televiziv “Globovision”. Megjithatë, arrestimi është shoqëruar me paqartësi dhe reagime të ndryshme. Avokati i Saab, Luigi Giuliano, ka cilësuar raportimet si “lajme të rreme”, ndërsa gazetarë pranë qeverisë venezuelase gjithashtu e kanë mohuar ngjarjen. Kryeparlamentari Jorge Rodríguez, në anën tjetër, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se nuk dispononte informacion zyrtar mbi ndalimin.
Ky zhvillim paraqet një nivel të ri bashkëpunimi mes autoriteteve amerikane dhe qeverisë së përkohshme të Venezuelës, e udhëhequr nga Delcy Rodríguez. Ajo, ish-zëvendëse e Maduros, tani kontrollon agjencitë e zbatimit të ligjit në vend dhe ka bashkëpunuar me SHBA-të për realizimin e këtij operacioni.
Alex Saab nuk është një person i panjohur për drejtësinë amerikane. Ai u arrestua në vitin 2020 në Kepin e Gjelbër dhe u mbajt në SHBA për tre vite, përballë akuzave për korrupsion dhe pastrim parash. Dyshohet se ai ka përfituar rreth 350 milionë dollarë përmes skemave me kursin e këmbimit valutor. Saab u lirua në fund të vitit 2023 si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish. Pas kthimit të tij, Maduro e priti si hero kombëtar dhe e emëroi ministër të Industrisë, post të cilin e mbajti deri muajin e kaluar.
