Gjermani, arrestohet një anëtar i dyshuar i Hamasit
Prokurorët gjermanë kanë arrestuar një anëtar të dyshuar të Hamasit, i akuzuar për sigurimin e armëve që dyshohet se ishin të destinuara për sulme kundër institucioneve izraelite ose hebraike.
“I dyshuari u arrestua në autostradë ndërsa hynte në Gjermani nga Republika Çeke”, njoftoi zyra e prokurorit publik federal në Karlsruhe. Ai do të paraqitet para një gjyqtari hetues në Karlsruhe, i cili do të vendosë për masën e sigurisë.
Prokurorët akuzojnë të dyshuarin, me origjinë libaneze, për anëtarësim në një organizatë terroriste të huaj. Në gusht, ai dyshohet se ka siguruar në Gjermani një pushkë automatike, tetë pistoleta dhe mbi 600 fishekë. Më pas, besohet se i ka transportuar ato drejt Berlinit për t’ia dorëzuar një anëtari tjetër të dyshuar të Hamasit, i cili ndodhet tashmë në paraburgim.
Armët dhe municioni janë sekuestruar në kohën e arrestimit.
Muajin e kaluar, prokurorët gjermanë arrestuan tre anëtarë të dyshuar të Hamasit në Berlin, të cilët aktualisht mbahen në paraburgim. Të tre të dyshuarit akuzohen për sigurimin e armëve zjarri dhe municione, të paktën që nga vera e vitit 2025.
