AUDIO/ Debati në sallën e gjyqit, që çoi në arrestimin e avokatit
Ngjarja që ndodhi në Gjykatën e Elbasanit, ku avokati Ulian Bajrami u ndalua dhe arrestua menjëherë pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka, ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin juridik dhe ka ndezur një debat mbi kufijtë e ushtrimit të detyrës së mbrojtjes në sallën e gjyqit.
Në audio-regjistrimin e seancës, Bajrami dëgjohet teksa kundërshton provat e paraqitura nga prokurori për rastin e klientit të tij Maksim Suçi, duke i cilësuar ato si të rreme dhe duke paralajmëruar një kallëzim penal ndaj tij. “Do merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim”, dëgjohet të ketë thënë ndër të tjera avokati në deklaratën e tij.
Por fjala “personalisht” duket se ka provokuar reagimin e fortë të prokurorit dhe gjyqtares Megi Strakosha, e cila ndërhyri menjëherë duke e paralajmëruar për gjuhën e papërshtatshme në sallë dhe duke e kërcënuar me përjashtim, një paralajmërim që pas pak orësh u shndërrua në pranga.
Arrestimi i një avokati në ushtrim të detyrës është ngjarje e rrallë, nëse jo e paprecedentë në praktikën gjyqësore shqiptare, dhe ka shkaktuar reagime të forta nga e gjithë trupa e avokatëve.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cilësoi ndalimin e Bajramit si “abuzim me atributet e prokurorit dhe shkelje flagrante të të drejtave themelore të mbrojtjes”.
“Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit. Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori,” deklaroi në reagimin zyrtar kryetari i Dhomës, prof. Maksim Haxhia, duke i kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera të hetojnë menjëherë “këtë rast flagrant arbitrariteti”.
Në të njëjtën linjë, Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë e quajti arrestimin e Bajramit “një shkelje të rëndë të parimeve themelore të shtetit të së drejtës”, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe ndëshkimin e çdo funksionari që, sipas tyre, “ka keqpërdorur detyrën publike për të intimiduar përfaqësuesin e mbrojtjes”.
“Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit,” thuhet në reagimin e Shoqatës, që e lidh ngjarjen me një tendencë më të gjerë për të zbehur rolin e mbrojtjes dhe për të përqendruar pushtetin në duart e akuzës.
Reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga vetë kolegët e tij. Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e përshkroi arrestimin si “produkt të një abuzimi të hapur me detyrën” dhe “një akt hakmarrjeje të prokurorit dhe gjykatëses ndaj një avokati që guxoi të vërë në pikëpyetje provat”. Sipas Manjanit, “në sallën e gjyqit i kërcënuari i vetëm ka qenë avokati, jo prokurori”. Ai i bëri thirrje Dhomës së Avokatisë për “masa drastike reagimi”, duke e cilësuar ngjarjen si simptomë të një drejtësie që “po e humb busullën e ekuilibrit mes palëve”.
Nga ana tjetër, avokati Arben Llangozi ka denoncuar edhe shkelje të tjera pas arrestimit, duke pretenduar se Bajramit i është mohuar kontakti me avokatin mbrojtës për orë të tëra në Komisariatin nr. 3 dhe se “në dhomat e sigurisë vidhen sendet e të arrestuarve”. Ai e ka quajtur këtë një “praktikë kriminale që synon të izolojë të ndaluarit dhe të frikësojë mbrojtjen”.
Ky episod e zhvendos debatin përtej rastit të një avokati të veçantë. Ai ngre pyetje të thella për mënyrën se si funksionon drejtësia shqiptare, për barazinë e palëve në proces dhe për rolin real që ka sot avokatia në sistem. Kur një avokat arrestohet për fjalët e tij në sallën e gjyqit, për një deklaratë që në çdo demokraci do të mbrohej nga imuniteti profesional, a mund të themi ende se kemi një drejtësi të pavarur?
Akoma më të forta bëhen reagimet nëse kujtojmë se në të shkuarën, kreu i SPAK Altin Dumani, duke folur për vendimet e gjykatave gjatë një raportimi, deklaroi se “afërmendsh” gjykatat do të vendosnin pro kërkesave të SPAK në seancat gjyqësore. Për t’u përmendur është edhe rasti i disa muajve më parë, kur SPAK vuri në përgjim për 2 javë pa vendim gjykate, Gent Ibrahimin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar atë person nën hetim. Pikërisht për raste të tilla, juristët po shohin trajtat e “Republikës së Prokurorëve”, një fenomen që e shndërron çdo zë të mbrojtjes në objekt ndëshkimi, duke i lënë pak hapësira debatit të hapur gjyqësor./Lapsi.al