SPAK kërkonte një person për trafik droge drejt vendeve të BE-së; është arrestuar në Dubai
Bujar Sefa, i njohur edhe me mbiemrin Xaka, është arrestuar në Dubai. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK (Specialja Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar) nën akuzën e trafikut të drogës drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sefa i kishte shpëtuar më parë arrestimit nga policia gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak.
Sefa është një personazh i njohur për autoritetet italiane, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.
Nga dosja hetimore rezulton se Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, kishte rol drejtues në një grup kriminal që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. Nga përgjimet e kryera, mësohet se ai kujdesej për punëtorët e angazhuar në parcelat e kanabisit.
