PAMJET: Efektivë policie të veshur civilisht, me kapuçë dhe maska, shoqërojnë me forcë një qytetar në rrugë.
Një numër i konsiderueshëm efektivësh policie të veshur civilisht u pozicionuan pranë selisë së Partisë Demokratike (PD), pasi protestuesit dhe drejtuesit e partisë ishin kthyer në seli pas protestës para kryeministrisë. Me kapele dhe maska, ata prisnin pranë selisë blu për të kryer arrestime.
Mediat transmetuan pamjet e një qytetari që u shoqërua me forcë nga një grup personash të veshur civilisht, të cilët ishin në gatishmëri. Grupi i efektivëve të veshur civilisht, me kapele dhe me shall në fytyrë ose të maskuar, ishte vendosur pranë ETC, përballë selisë së PD.
Një grup prej 6-7 efektivësh civilë kapën një qytetar dhe e shoqëruan atë me forcë drejt një mjeti të policisë. Efektivët përpiqeshin të mbulonin fytyrën, në mënyrë që të mos identifikoheshin nga kamerat.
Në një prononcim, qytetari deklaroi: “Nuk jam protestues. Po më shoqërojnë pa të drejtë.”
Ndaj pyetjes së gazetarit të Syri TV nëse u identifikuan si punonjës policie para qytetarit që arrestuan dhe nëse i lexuan të drejtat e tij, efektivët civilë nuk u përgjigjën. Ata vijuan drejt mjetit të policisë, ku futën qytetarin për ta shoqëruar drejt komisariatit.
