Kapet me pistoletë në një lokal, arrestohet 36-vjeçari në Fushë-Krujë
Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia e Fushë-Krujës për armëmbajtje pa leje. Gjatë një kontrolli në çantën e tij, iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur me municion luftarak.
Ndërkohë, është proceduar edhe pronari i lokalit ku u arrestua 36-vjeçari, i cili do të përballet me akuzën e moskallëzimit të krimit.
Sipas njoftimit të policisë, operacioni i koduar “Klienti” u finalizua nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, bazuar në informacionet e siguruara. Gjatë operacionit, forcat e policisë kanë ndërhyrë në lokalet e shtetasit A. S., në Fushë-Krujë. Atje, ata kanë lokalizuar shtetasin A. Xh. dhe gjatë kontrollit në çantën e tij, i kanë gjetur armën e zjarrit.
Në vijim të veprimeve, shtetasi A. Xh., 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë, është arrestuar në flagrancë. Po ashtu, është nisur procedimi penal ndaj shtetasit A. S., 41 vjeç, gjithashtu banues në Fushë-Krujë, për moskallëzim krimi.
Materialet e rastit i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
