Arrestohet 30-vjeçari në Kukës pasi u kap me armë dhe municion në automjet
Policia e Kukësit ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje. Sipas njoftimeve, i riu u kap në flagrancë duke qarkulluar me automjetin e tij tip “Touareg”, ku u zbuluan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Akulli”. Ky operacion u zhvillua pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi P. V., 30 vjeç, banues në Kukës. Ai u kap në lagjen numër 3, në qytetin e Kukësit, teksa drejtonte automjetin tip “Touareg”, në të cilin u gjetën arma e zjarrit dhe municioni.
Materialet e rastit i janë dërguar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
