Kërcënuan me armë fqinjin, arrestohet 37-vjeçari në Shkodër
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 37-vjeçar të identifikuar si M.B., i cili dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri fqinjin e tij gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Sipas informacioneve të policisë, në këtë ngjarje është përfshirë edhe një 22-vjeçar, i identifikuar si A.G. Të dy, dyshohet se së bashku kanë kërcënuar fqinjin e tyre, shtetasin E.K., me një pistoletë.
Menjëherë pas konstatuar praninë e punonjësve të policisë, 22-vjeçari A.G. dyshohet se ka marrë armën e zjarrit dhe është larguar me vrap. Ai është shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit për kanosjen me armë në rrugën “Tafilica”, kanë ndërmarrë veprime të shpejta për kapjen e autorëve.
Si rezultat, 37-vjeçari M.B. është arrestuar në flagrancë, ndërsa puna vijon për kapjen e 22-vjeçarit A.G. dhe për gjetjen e armës së përdorur.
Materialet e rastit do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
