Arrestohet 39-vjeçari që plagosi pronarin e servisit të makinave për shkak të pakënaqësisë nga shërbimi
Policia ka arrestuar shtetasin Izvin Gucija, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri një person. Ai u kap nga efektivët në afërsi të banesës së tij.
Sipas të dhënave paraprake, 39-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit Genc Hoxha, 45 vjeç. Si pasojë e të shtënave, Genc Hoxha ka mbetur i plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e para rezulton se i plagosuri njihej me autorin e dyshuar, i cili është pronar i një servisi automjetesh në afërsi të urës së Dervishbegut në Shkodër. Sipas burimeve, disa kohë më parë, 45-vjeçari kishte dërguar automjetin e tij për riparim në këtë servis, por nuk kishte qenë i kënaqur me shërbimin e kryer.
Burime policore bëjnë me dije se disa ditë më parë, Genc Hoxha ishte paraqitur në servis dhe gjatë një debati, dyshohet se ka fyer pronarin. Ky i fundit nuk ka reaguar në atë moment, pasi kishte qenë duke agjëruar.
Gjatë ditës së djeshme, ai është rikthyer sërish në servis dhe konflikti verbal mes tyre ka degraduar duke përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.
Në vendngjarje, efektivët e policisë kanë gjetur një gëzhojë, e cila dyshohet se i përket armës së përdorur nga autori. Gjithashtu, është sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer plagosja.
