Arrestimi i dy personave me rrezikshmëri të lartë, të lidhur me Ervis Martinën, dhe sekuestrimi i armëve e pajisjeve.
Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht arrestimin e Alket Xhixhës dhe Elvin Mërlikës, dy individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët ishin shpallur më parë në kërkim nga SPAK.
Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit u kapën teksa posedonin armë zjarri, duke përfshirë pistoleta dhe armë gjahu. Si prova materiale, policia sekuestroi dy pistoleta, dy armë gjahu, dy radio të ngjashme me ato të policisë dhe një jelek antiplumb, si dhe municion luftarak.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur për të dy të arrestuarit masën e sigurisë “Arrest me burg”, për vepra penale të lidhura me sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes në bashkëpunim brenda një grupi kriminal, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grup i tillë.
Operacioni policor i koduar “Operacionalja 75”, i finalizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bëri të mundur kapjen e dy personave në kërkim në një terren të vështirë.
Detajet e njoftimit shtojnë se operacioni, me shkallë të lartë rrezikshmërie, u zhvillua në zonën e Fushë-Kuqes, pranë lumit, në një banesë, ku forcat e posaçme identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan dy shtetasit, A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras.
Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe sekuestruan si prova materiale:
- 2 armë zjarri tip pistoletë të vendosura në çanta marsup.
- 2 armë gjahu, së bashku me municion luftarak, pa leje.
- 2 radio ndërlidhëse të ngjashme me ato të policisë.
- Një jelek antiplumb.
Puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe gjetjen e provave të tjera vazhdon.
