“Ueee, jemi shumë lart”, zbardhen detaje nga takimet e Agasit, Karçanajt dhe Beqirit
Në dosjen hetimore të AKSHI-t janë zbuluar detaje nga biseda të regjistruara mes Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe Mirlinda Karçanajt, të cilat dokumentojnë diskutime mbi çështje të ndjeshme dhe veprime ligjore të mundshme. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar informacione nga këto regjistrime, të cilat janë kryer me kamera në zyrë dhe me pajisje telefonike të vendit të punës.
Regjistrimet tregojnë se Beqiraj theksonte rëndësinë e informacioneve, duke theksuar se ato ishin më të vlefshme se shifrat. Agasi konfirmoi seriozitetin e situatës dhe njoftoi se ishin arritur nivele shumë të larta. Më pas, Agasi përgatitej për kallëzim penal ndaj një personi të quajtur Nardi, duke theksuar se ky i fundit kishte zbuluar “sekret shtetëror”. Gjatë këtyre diskutimeve, Karçanaj ishte e pranishme, por më pas u largua.
Pjesë nga bisedat:
* **Ermal Beqiri:** Informacioni është një gjë shumë më e madhe se numrat.
* **Ergys Agasi:** Ueee.
* **Ermal Beqiri:** Ça me i bo atij…
* **Ergys Agasi:** Nuk e diskuto fare mo burrë, tani jemi goxha shumë shumë lart.
* **Ergys Agasi:** E ke bërë gati kallëzimin penal për Nardin se ka nxjerrë sekret shtetëror. Edhe filloi pastaj e pa situatën si shkoi, filloi prap jo Nardi kështu jo ashtu, filloi t’u shpjegu.
* **Karçanaj largohet.**
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arresti për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Për drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Kërçanaj, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, masat e sigurisë janë “arrest me burg”.
Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy ekipe agjentësh të BKH-së, të shoqëruar nga patrulla të Policisë së Shtetit, kanë zbarkuar në ambiente në pronësi të biznesmenit Agasi. Janë kontrolluar 4 vende: banesa në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese në pronësi të Ergys Agasit. Gjithashtu, është dhënë masë pezullimi nga detyra edhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili.
SPAK ka vendosur masa sigurie për gjithsej 8 persona: Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta. Akuzat kryesore të SPAK janë grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë. Prokuroria e posaçme ka hetuar për gati një vit procedurat e 12 tendereve, që dyshohet se janë kryer në shkelje. Personat e përmendur, si dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët janë caktuar masa sigurie por emrat nuk dihen, akuzohen për shkelje barazie në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Ndërkohë, banesa dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit janë kontrolluar me urdhër të SPAK në muajin qershor.
