Inspektorë të IMT-së arrestohen për ndërtime pa leje në Sauk
Pesë inspektorë të Inspektoriatit të Mbikëqyrjes dhe Kontrollit të Territorit (IMT) janë vënë në pranga, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Sipas njoftimeve zyrtare, këta inspektorë dyshohet se kanë lejuar ndërtimin e tre vilave pa leje në një zonë rezidenciale në Sauk. Po ashtu, një person tjetër është nën hetim për veprime të ngjashme.
Operacioni, i koduar “Wrong Project”, i cili ka synuar identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve të pushtimit të hapësirave publike me ndërtime të paligjshme, ka nxjerrë në pah tre raste specifike në fushën e ndërtimeve të paligjshme në zonën rezidenciale të Saukut.
Në kuadër të këtij operacioni, janë ndaluar shtetasit Gj. M., 38 vjeç, K. R., 48 vjeç, A. D., 35 vjeç, O. C., 41 vjeç dhe E. D., 32 vjeç. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasja E. D., 35 vjeçe. Njëkohësisht, janë shpallur në kërkim shtetasit Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç. Të gjithë këta persona kanë mbajtur detyrën e Inspektorit të IMT-së Tiranë. Dyshimet ndaj tyre lidhen me mosveprimet ose veprimet e kryera, me anë të të cilave kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar kështu ndërtimin pa leje të tre banesave.
Përveç tyre, janë ndaluar edhe shtetasit B. Xh., 35 vjeçe dhe R. Gj., 36 vjeç, të cilët kanë mbajtur detyra drejtuese teknike dhe inxhinieri pranë subjektit ndërtues. Përveç tyre, janë shpallur në kërkim edhe bashkëadministratorët e subjektit ndërtues, E. K., 55 vjeçe dhe S. S., 67 vjeç, si dhe arkitektja e këtij subjekti, E. Sh.(Ç.), 45 vjeçe. Këta persona po hetohen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Forcat e rendit vijojnë punën për kapjen e gjashtë shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, hetimet po vazhdojnë për të dokumentuar përgjegjësinë penale individuale të 14 shtetasve të implikuar në këtë rast. Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Hapësira publike” vijojnë intensivisht.
Materialet e grumbulluara i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
