Arrestimi i Mirlinda Karçanajt dhe arratisja e Ergys Agasit për tenderat e AKSHI.
SPAK dhe BKH kanë nisur një aksion për goditjen e korrupsionit lidhur me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucion ky që menaxhon sistemet, të dhënat dhe kontratat e teknologjisë për një pjesë të konsiderueshme të administratës.
Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI, Mirlinda Karçanaj. Ndërkohë, masat “arrest me burg” janë caktuar për dy biznesmenë, Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn, të cilët raportohet se nuk janë gjetur gjatë kontrolleve dhe mbeten në kërkim.
Dyshohet se Ergys Agasi është njoftuar paraprakisht për operacionin e urdhëruar nga SPAK dhe është arratisur jashtë vendit.
Janë marrë masa edhe për zyrtarë të tjerë, duke përfshirë pezullimin nga detyra të Erjon Ismailit, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës. Hetuesit kanë marrë në pyetje dhjetëra punonjës të AKSHI, kryesisht anëtarë të komisioneve të vlerësimit dhe shqyrtimit të ankesave, si pjesë e një hetimi që, sipas burimeve, ka nisur rreth një vit më parë dhe ka lidhje me procedura prokurimi.
Deri më tani, SPAK ka zbuluar një skemë presioni me elementë dhune dhe shantazhi. Pretendohet se biznesmeni Gerond Meçe është rrëmbyer dhe më pas është tërhequr nga gara ose interesimi për tenderë të lidhur me AKSHI. Në këtë episod përmenden Agasi, Beqiraj dhe persona nga Policia e Shtetit.
Kush është Ergys Agasi dhe pse ky hetim ka peshë politike
Ergys Agasi, i njohur si djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ka qenë aktiv në politikë përmes Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe më pas Partisë Socialiste, duke mbajtur poste administrative si drejtues i Inspektoratit të Mjedisit. Pavarësisht profilit të ulët publik, ai ka pasur ndikim të shtuar falë njohjeve dhe kontakteve politike.
Agasi është paraqitur prej kohësh si figurë me ndikim në Durrës dhe shpesh i përshkruar si njeri i afërt me kryeministrin Edi Rama.
Emri i tij u bë publik për herë të parë nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili e përshkroi Agasin si një ndërmjetës të kryeministrit me organizata kriminale. Ahmetaj deklaroi se Agasi jeton në Durrës, pranë “klanit të Durrësit”, dhe se vepron si koordinator i grupeve kriminale për llogari të Ramës.
Ahmetaj e vendosi AKSHI-n në qendër të “kapjes” së shtetit nga ky grup dhe theksoi se grupet kriminale marrin tendera nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, duke pastruar para përmes ndërtimit dhe shitjes së drogës nëpërmjet Shqipërisë.
Sipas Ahmetajt, AKSHI është “kopshti privat i kryeministrit”, ku persona të lidhur me familjen e tij operojnë sipas dëshirës.
Denoncimi i Ahmetajt për paratë e Ergys Agasit
Arben Ahmetaj ka deklaruar se Agasi kishte marrë kontrollin mbi AKSHI-n përmes lidhjeve politike dhe familjare. Ai përmendi se motra e Agasit është drejtoreshë në AKSHI, ndërsa kompania e tij, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj, duke operuar në fushën e shërbimeve IT.
Dokumentet tregojnë se EA Solutions u themelua në mars 2023 dhe deklaroi fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit, ndërsa shpenzimet totale vjetore ishin rreth 100 mijë euro. Kjo do të thotë se kompania shpenzon rreth 8 mijë euro në muaj, por fitimet janë 23 herë më të larta se shpenzimet.
Sipas Ahmetajt, nëse një rritje kaq e shpejtë dhe e pashpjegueshme do të ndodhte në një treg normal, ajo do të ishte objekt hetimi për evazion fiskal ose pastrim parash, por në Shqipëri, lidhjet me Edi Ramën duket se e mbrojnë nga këto hetime.
Lidhjet mes AKSHI-t dhe ‘Soft Solutions’ – skema e tenderave të dyshimtë
Sipas Arben Ahmetajt, kompania Soft Solutions, në pronësi të Ermal Beqirajt, faturon rreth 80% të tenderave të AKSHI-t. Kjo kompani merr shumën më të madhe të parave nga të gjitha kompanitë e tjera që marrin tendera nga ky institucion.
Ahmetaj sugjeron se duke hetuar rrjedhën e parave tek tenderat e AKSHI-t, do të mbërrihet tek familja e kryeministrit.
Në një vend ku politika dhe krimi shpesh ecin krah për krah, Agasi duket se është një ndërmjetës i fuqishëm mes të dyja botëve.
Akoma më i fortë ishte denoncimi i Gazment Bardhit, pas daljes në skenë të emrit të Ergys Agasit. Sipas Bardhit, lidhjet e tij shkonin deri në kupolën e SHISH, duke dyshuar se Shërbimi Informativ i Shtetit është shndërruar në një organizëm në duart e krimit të organizuar.
