Arrestime masive në Poloni: 55 të dyshuar për spiunazh rus

55 persona të dyshuar për spiunazh janë arrestuar në Poloni gjatë muajve të fundit

Zyrtarët e Agjencisë Polake të Sigurisë së Brendshme kanë arrestuar 55 persona të cilët dyshohet se kanë punuar për inteligjencën e huaj, në muajt e fundit. Këto informacione janë bërë të ditura nga Jacek Dobzinski, sekretari i shtypit i koordinatorit të shërbimeve speciale, gjatë një konference për shtyp.

Dobzinski theksoi se “në muajt e fundit, punonjësit e Agjencisë së Sigurisë së Brendshme kanë arrestuar 55 persona që vepronin kundër Polonisë, duke vepruar në interes të inteligjencës ruse”.

Ai gjithashtu konfirmoi se tetë persona janë ndaluar ditët e fundit, si pjesë e operacioneve të përbashkëta të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare me shërbime të tjera.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka njoftuar në rrjetin social “X” se tetë persona të dyshuar për përgatitjen e akteve të sabotimit janë arrestuar në Poloni.

“Agjencia e Sigurisë së Brendshme, së bashku me shërbime të tjera, ka arrestuar tetë persona të dyshuar për përgatitjen e sabotimit në zona të ndryshme të vendit ditët e fundit,” tha ai, duke shtuar se hetimi është duke vazhduar.

Ky zhvillim vjen pas një incidenti të djeshëm, ku zyra e partisë “Platforma Qytetare” e Tuskut në Varshavë u sulmua. Sabotimi u krye nga dy persona që hodhën një shishe me lëndë të ndezshme drejt ndërtesës. Pavarësisht se shishja u thye, zjarri u parandalua.

Scroll to Top