Një operacion i madh kundër krimit të organizuar në Itali ka rezultuar në arrestimin e 62 personave, pas zbardhjes së përgjimeve të një organizate kriminale me lidhje italo-shqiptare. Hetimi, drejtuar nga Drejtoria Anti-Mafia e Distriktit të Cagliarit, ka nxjerrë në dritë një rrjet të sofistikuar të trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave.
Sipas hetimeve, droga mbërrinte në Itali përmes rrugëve ballkanike, menaxhuar nga shtetas shqiptarë të vendosur në Pisa, Cascina dhe Santa Croce sull’Arno. Nga atje, ngarkesat e kokainës dhe heroinës transportoheshin drejt Sardenjës, ku grupe lokale kujdeseshin për magazinimin dhe shpërndarjen.
Krerët e organizatës për logjistikën dyshohet të jenë Efisio Spano dhe Rossano Agnese, dy shoferë kamionësh që përdornin mjetet e tyre, nën petkun e transportit të mallrave të ligjshme, për të fshehur sasi të konsiderueshme droge dhe parash. Kamionët kishin pjesë të fshehta për të transportuar lëndë narkotike ose para të paligjshme.
Hetimet kanë dokumentuar një lidhje të fortë me Pizën dhe Livornon, ku operonte Soni Muca, një shtetase shqiptare e identifikuar si ndërmjetësja kryesore mes furnizuesve shqiptarë dhe kontakteve në Sardenjë. Ajo bashkëpunonte me Leonard Murtatin, i njohur si Sinani, një figurë kyçe në trafikun e drogës mes Italisë dhe Ballkanit. Bashkë me ta ishin vëllezërit Ervin dhe Endrit Stafa, të përfshirë në transport, shitje dhe komunikime të koduara.
Përgjimet kanë zbuluar detaje rreth mënyrës së funksionimit të organizatës. Një bisedë mes Endritit dhe Leonardit kuptohet se i referohet një transferte bankare drejt furnizuesve në Shqipëri. Një tjetër bisedë tregonte për dërgimin e një “pakete” në Sardenjë, e cila rezultoi të ishte një telefon i koduar për koordinimin e porosive dhe pagesave.
Organizata shfrytëzonte rrugët detare tregtare, duke përdorur tragete dhe kontejnerë për të transportuar drogën nga njëra anë dhe paratë nga ana tjetër. Fluksi ishte i vazhdueshëm dhe i saktë, ku çdo ngarkesë droge duhej paguar me transferime të drejtpërdrejta parash. Në Toskanë, paratë grumbulloheshin dhe dërgoheshin përsëri drejt Shqipërisë, pjesërisht përmes korrierëve fizikë dhe pjesërisht me transferta bankare.
Në Sardenjë, qytete si Barisardo, Iglesias, Olbia dhe Villaperuccio shërbenin si pika të mbërritjes dhe rishpërndarjes. Shefat lokalë merrnin ngarkesat dhe ua shpërndanin shitësve të organizuar në struktura piramidale. Anëtarët që vononin pagesat përballeshin me pasoja të rënda, siç dëshmohet nga rasti i një rrëmbimi.
Hetimet kanë nxjerrë në pah një strukturë të mirëorganizuar biznesi, jo një bandë të improvizuar. Kontaktet në Toskanë mbanin lidhje me Shqipërinë, ndërsa grupet në Sardenjë menaxhonin rrjetin lokal dhe pastronin fitimet. Bisedat e përgjuara zbulojnë një gjuhë konfidencialiteti me terma si “vëlla”, “partner”, duke treguar një aleancë të qëndrueshme mes italianëve dhe shqiptarëve.
Ky sistem përdorte Detin Tirren si “autostradë” dhe Toskanën si qendër logjistike, duke përdorur kamionë, tragete dhe telefona të koduar si mbulesë për aktivitetet e tyre kriminale.
Emrat e shqiptarëve të arrestuar përfshijnë:
- Rexhep Alla (i lindur më 1996, banues në Novara)
- Elton Calliku (i lindur më 1984, banues në Carmignano di Brenta)
- Klinton Hushi (i lindur më 1994, banues në Cascina)
- Romario Kasa (i lindur më 1994, banues në Cascina)
- Arjan Mrishaj (i lindur më 1976, banues në Pioltello)
- Soni Muca (e lindur më 1998, banuese në Pisa)
- Leonard Murtati (i lindur më 1986)
- Endrit Stafa (i lindur më 1991, banues në Santa Croce sull’Arno)
- Ervin Stafa (i lindur më 1981, banues në Santa Croce sull’Arno)
- Dhimitri Xhuti (i lindur më 1981, i burgosur në Uta)