Arrestime në Maliq: Të shtëna me armë, drogë dhe kërkim flori

### Arrestohet 40-vjeçari në Maliq pasi qëlloi me armë zjarri, duke terrorizuar banorët

Në Maliq janë arrestuar dy persona pas të shtënave me armë zjarri, të cilat kanë terrorizuar banorët e zonës. Në pranga kanë rënë shtetasi Kristo Agolli, 40 vjeç, i cili rezulton me precedentë penalë për vjedhje dhe vepra që lidhen me narkotikët, si dhe shtetasi grek Dimitrios Pentazidis, 48 vjeç. Pentazidis ndodhej pranë Agollit në momentin e ngjarjes dhe akuzohet se nuk ka kallëzuar krimin.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar një armë zjarri automatike tip kallashnikov së bashku me municion luftarak. Gjithashtu, në banesën e Agollit janë gjetur fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues.

Dyshohet se shtetasi grek, Pentazidis, kishte ardhur nga Greqia me pajisjen metalkërkuese me qëllim kërkimin e arit në zonë.

Sipas njoftimit të policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasi morën njoftim se në fshatin Orman një shtetas po qëllointe me armë zjarri, duke krijuar frikë mes banorëve dhe duke rrezikuar jetën e tyre, shkuan menjëherë në vendngjarje.

Falë veprimeve të shpejta dhe mbështetjes së Forcës së Posaçme “Shqiponja”, policia ka lokalizuar, neutralizuar dhe vënë në pranga shtetasin Kristo Agolli, 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq. Ai rezulton të jetë dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municioni luftarak. Gjatë kontrollit të banesës së 40-vjeçarit, janë gjetur dhe sekuestruar fara kanabisi dhe aparati metalkërkues.

Në vijim të veprimeve, është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi grek Dimitrios Pentazidis, 48 vjeç, banues në Athinë. Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ky i fundit kryente veprën me armë.

Nga hetimet e kryera, rezulton se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori duke përdorur aparatin metalkërkues, të cilin dyshohet ta ketë sjellë nga Greqia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top