Arrestime për ndërtime e tjetërsim prone në Rana të Hedhun

Tjetërsim prone dhe ndërtime në Ranën e Hedhun, arrestohet i dyshuari përfitues; masa për 8 zyrtarë e ish-zyrtarë

Prokuroria e Lezhës ka finalizuar të mërkurën një hetim për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim pa leje”, duke çuar në caktimin e nëntë masave të sigurisë për zyrtarë, ish-zyrtarë dhe një person të dyshuar si përfitues.

Hetimet, të drejtuara nga prokurorja Iva Harka, janë fokusuar në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Dyshimet janë se në këtë zonë është tjetërsuar pronë, janë kryer ndërtime pa leje dhe më pas objektet janë legalizuar në mënyrë të parregullt.

Masat e sigurisë të ekzekutuara nga Policia e Lezhës përfshijnë:

  • “Arrest në burg” për Pjetër Tucin, i cili dyshohet si përfitues i pronës.
  • “Arrest në shtëpi” për pesë persona: Gentjan Malotaj (ish-drejtor i Kadastrës së Lezhës), Artur Shabaku (ish-shef i sektorit të Legalizimeve), si dhe zyrtarët e kadastrës Admir Maxhuni, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina.
  • “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për dy ish-drejtues të IKMT-së, Flor Gjini dhe Kol Malai.
  • “Pezullim nga detyra” dhe “ndalimi i daljes jashtë vendit” për Martin Ndokën, polic i zonës së Shëngjinit.

Zona e Ranës së Hedhun në Shëngjin ka qenë prej vitesh në qendër të hetimeve për tjetërsim pronash dhe ndërtime pa leje.

Scroll to Top