Arrestimi i avokatit/ Berisha: Terror për të mbyllur gojën në sallën e gjyqit!
Kreu i PD, Sali Berisha, ka sulmuar drejtorin e policisë, Ilir Proda, pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami. Arrestimi ndodhi pas debateve mes avokatit dhe prokurorit në sallën e gjyqit në Elbasan. Berisha e ka cilësuar këtë si terror të ushtruar ndaj avokatëve, me qëllim që t’u mbyllet goja në sallën e gjyqit.
“Arrestojnë avokatin në Elbasan, sepse guxoi t’i thoshte prokurorit se do ta padis penalisht. Çfarë fyerje dhe çfarë kërcënimi është ky? Kur një njeri në sallën e gjyqit, duke mbrojtur një klient, i thotë prokurorit se po shpif dhe ky, si anëtar i bandës me Prodën, e thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen. Të arrestosh avokatin në këtë mënyrë, ky është terror mbi avokatët për t’u mbyllur gojën në sallën e gjyqit. Çfarë drejtësie është kjo?” ka deklaruar Berisha.
Ai shtoi se fillimisht, kur e dëgjoi lajmin, mendoi se avokati kishte humbur kontrollin dhe kishte sulmuar prokurorin, gjë që do të ishte e papranueshme. Por, pasi pa pamjet filmike të ngjarjes, e quajti turp. “Këta që përpiqen t’i shndërrojnë krimet e tyre të shëmtuara në mburojë për drejtësinë, këta janë dy herë kriminelë”, tha Berisha.
Avokati Ulian Bajrami u arrestua pasi i tha prokurorit se do të merrej me të personalisht, duke e kallëzuar për falsifikim të dhënash. Avokati pretendonte se, ndryshe nga sa dukej në kamerat e sigurisë, prokurori kishte hartuar një dosje me të dhëna të rreme kundër klientit të tij.