Do të kryente grusht shteti në Rumani, arrestohet në Dubai mercenari pro-rus
Personat me lidhje të ngushta me Kremlinin kanë nisur një operacion për të parandaluar ekstradimin e Horacio Potra nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Rumani. Potra akuzohet për përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues, së bashku me politikanin e ekstremit të djathtë, Calin Gheorghescu.
Siç raporton ‘The Guardian’, Potra, një ish-legjionar në Legjionin e Huaj Francez dhe drejtues i formacioneve ushtarake private në Afrikë, u arrestua më 24 shtator në aeroportin e Dubait. Ai u ndalua së bashku me djalin dhe nipin e tij, pak para se të hipnin në një fluturim për në Moskë.
Autoritetet rumune po bashkëpunojnë me Emiratet e Bashkuara Arabe për ekstradimin e tij, ndërsa prokurori i përgjithshëm ka deklaruar se Potra po kërkon azil në Rusi. Një kërkesë për anullimin e urdhër-arrestit në Rumani u refuzua së fundmi nga një gjykatë.
Operacioni për të penguar ekstradimin drejtohet nga Igor Spivak, kreu i Shoqërisë Ruse për Lindjen e Mesme (një organizatë me bashkëpunim të rregullt me Ministrinë e Jashtme Ruse), dhe Alexander Kalinin, një agjent moldav pro-rus që është arratisur në Moskë dhe po rekruton moldavë për të luftuar për Rusinë në Ukrainë.
Spivak ka deklaruar se ka angazhuar avokatë në Emirate dhe po përgatitet të udhëtojë drejt Dubait, duke pranuar se “situata është e vështirë” dhe ekstradimi mund të ndodhë shpejt.
Potra ka një profil të njohur: ka punuar si truprojë për udhëheqës të rëndësishëm (përfshirë emirin e Katarit), ka themeluar kompani ushtarake private dhe ka dislokuar persona në zona konflikti, nga Republika Qendrore Afrikane deri në Republikën Demokratike të Kongos. Atje, rreth 300 luftëtarë të tij u kapën nga grupi M23 në janar dhe u riatdhesuan.
Në Rumani, reputacioni i tij u rrit si bashkëpunëtor i ngushtë i Gheorgheescut. Ky i fundit fitoi një raund të parë surprizë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, por rezultati u anullua nga Gjykata Kushtetuese mes akuzave për ndërhyrje ruse.
Profili i errët i Potrës
Një aktakuzë rumune akuzon Potrën dhe rrjetin e tij për përgatitjen e protestave të dhunshme pas anulimit të rezultatit. Autoritetet gjetën armë të paligjshme dhe shuma të mëdha parash gjatë bastisjeve në shtëpitë e tij. Ai akuzohet gjithashtu për evazion fiskal nga të ardhurat nga aktivitetet mercenare në Afrikë dhe për financim të paligjshëm të fushatës Gheorghescu. Kjo e fundit përfshin pagesa në para të gatshme dhe mbulimin e qirasë së një limuzine luksoze, siç dëshmohet nga mesazhet dhe faturat në dosjen e çështjes.
Pavarësisht mohimeve të lidhjeve me Rusinë, fotot, rezervimet e hoteleve dhe biletat e avionit, të cituara nga autoritetet rumune, e tregojnë atë duke udhëtuar shpesh në Moskë dhe duke marrë pjesë në ngjarje në ambasadën ruse në Bukuresht.
“Njerëzit e Kremlinit” pas çështjes
Informacionet sugjerojnë se qeveria ruse ka miratuar jozyrtarisht ndërhyrjen e Spivak dhe Kalinin. Spivak, megjithëse pretendon se po vepron “me iniciativën e tij”, ka pranuar se organizata e tij “ka mbështetjen” e Ministrisë së Jashtme Ruse, pasi ajo “përbëhet nga ish-diplomatë dhe zyrtarë të ministrisë”.
Kalinin, nga ana e tij, është nën sanksione të BE-së dhe SHBA-së për veprime destabilizuese në Moldavi. Ai ka kërcënuar të udhëheqë një “marshim drejt Kishinevit” për të rrëzuar presidencën e qeverisë pro-perëndimore të Maia Sandu. Autoritetet moldave e konsiderojnë atë “një agjent aktiv të shërbimeve sekrete ruse”.
Pavarësisht sfondit dhe mobilizimit të grupeve ligjore në Emiratet e Bashkuara Arabe, mundësia për të bllokuar ekstradimin po ngushtohet. Bukureshti këmbëngul që Potra të gjykohet në Rumani për krimet që i atribuohen, ndërsa Moska po e vëzhgon situatën nga afër dhe po teston kufijtë e kanaleve të saj të ndikimit.
