Transportonin kokainë, arrestohen tre persona në Vlorë
Janë arrestuar tre shtetas të cilët transportonin lëndë narkotike të llojit kokainë, me qëllim shitjen në qytetin e Vlorës. Lënda narkotike, 4 aparate celularë dhe automjeti me të cilin udhëtonin tre personat e arrestuar janë sekuestruar.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative dhe në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, kanë finalizuar operacionin e koduar “Triple”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
- A. Rr., 20 vjeç
- J. R., 25 vjeç
- L. K., 21 vjeç
Të tre të arrestuarit janë banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Volkswagen”, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, u gjetën të fshehura poshtë timonit 101 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e cila dyshohet se po transportohej për shitje në qytetin e Vlorës.
Së bashku me lëndën narkotike u sekuestruan edhe 4 aparate celularë, si dhe automjeti me të cilin qarkullonin tre shtetasit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
