Falsifikonin euro dhe i nxirrnin në treg, arrestohen 4 të rinj, përfshirë një minoren
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wrong Delivery”. Katër shtetas janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se bashkëpunonin në formën e një grupi kriminal për hedhjen në treg të kartëmonedhave euro të dyshuara të falsifikuara. Janë sekuestruar 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
- A. B., 19 vjeç, banues në Shkodër
- Një minoren 17 vjeç, banues në Tiranë
- S. L., 26 vjeç, banues në Tiranë
- E. A., 19 vjeç, banues në Tiranë
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi A. P., 19 vjeç, banues në Krujë.
Shtetasit S. L., E. A. dhe minoren janë kapur në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
