Arrestohen dy persona për mashtrim me apartamente

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, të dyshuar për një skemë mashtrimi që lidhet me shitblerjen e apartamenteve.

Sipas hetimeve, Elvis Ramca dhe Veriana Ziu dyshohet se u merrnin qytetarëve shuma të mëdha parash, duke iu premtuar blerjen e banesave. Burime zyrtare bëjnë me dije se çifti, që bashkëjetonte, përdorte dokumente bankare të falsifikuara.

Ata bindnin viktimat se pagesat ishin kryer dhe se procesi i blerjes së apartamenteve po vijonte normalisht. Këto mandate banke të rreme u paraqiteshin fillimisht qytetarëve, ndërsa më pas edhe kompanive të ndërtimit, me synimin për të lidhur kontrata fiktive shitblerjeje.

Hetimet nisën pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët deklaruan se kishin dhënë para për blerjen e apartamenteve, pa marrë asnjë pronë në këmbim. Pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore, policia arriti në identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve, 39 dhe 34 vjeç.

Sipas dyshimeve, pasi përvetësonin paratë, ata krijonin dokumente të falsifikuara për të mbuluar gjurmët e mashtrimit dhe për të krijuar bindjen se transaksionet financiare ishin kryer realisht.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.

Scroll to Top