Arrestohen shqiptarë në Spanjë me 1 ton kanabis e kallashnikovë

Policia spanjolle arreston dy shqiptarë, ruajtën 1 ton kanabis me kallashnikovë

Autoritetet policore spanjolle njoftuan arrestimin e dy shtetasve shqiptarë në Cadiz. Ata u kapën duke ruajtur rreth 1 ton kanabis, të armatosur me armë luftarake.

Sipas burimeve hetimore, dy të arrestuarit posedonin pushkë automatike të njohura si kallashnikov (AK-47) dhe ndodheshin në një banesë në zonën Pelayo të Algeciras.

Droga, sipas sqarimeve të oficerëve, kishte mbërritur në Cadiz nëpërmjet plazheve të Algeciras, aty ku kishin ankoruar edhe mjetet lundruese që transportonin ngarkesën e kanabisit të ruajtur nga shqiptarët e arrestuar.

Operacioni policor është rezultat i një hetimi paraprak, i cili ka mundur të lokalizojë një pronë të përdorur nga organizata kriminale si “çerdhe”, një term i përdorur në zhargonin policor për të identifikuar vendstrehimet e destinuara për fshehjen dhe ruajtjen e sasive të mëdha të drogës.

Gjatë aksionit, agjentët arrestuan dy persona me origjinë shqiptare, të cilët ishin përgjegjës për ruajtjen e depove. Ata posedonin tre pushkë kallashnikov të mbushura, në gjendje të përkryer pune dhe gati për përdorim të menjëhershëm.

Të arrestuarit janë dërguar para Gjykatës së Detyrës së Algeciras mëngjesin e 9 dhjetorit, ku është caktuar masa e paraburgimit.

Përdorimi i këtij lloji armatimi nga organizatat e trafikimit të drogës paraqet një rrezik “veçanërisht serioz” në Campo de Gjibraltar, një zonë “veçanërisht e ndjeshme” për shkak të pozicionit strategjik në rrjetet e trafikut të drogës.

Në muajt e fundit, policia ka vërejtur një rritje të dhunës dhe përdorimit të armëve të zjarrit nga këto rrjete kriminale, si për të mbrojtur depozitat e mëdha të kanabisit dhe kokainës, ashtu edhe kundër veprimeve policore apo përballë grupeve rivale.

Kjo situatë ka nxjerrë në pah specializimin në rritje, kapacitetin operacional dhe dimensionin ndërkombëtar të këtyre organizatave, duke theksuar rrezikun e lartë që ato paraqesin për sigurinë publike dhe integritetin e agjentëve të angazhuar në luftën kundër trafikimit të drogës.

Për policinë spanjolle, ky operacion konsiderohet “një goditje e madhe” ndaj organizatave kriminale që veprojnë në rajon dhe “riafirmon angazhimin e vendosur” të kësaj force në luftën kundër krimit të organizuar në Campo de Gjibraltar.

Scroll to Top