Me para false furnizoi makinën me karburant, arrestohet i riu në Tiranë
Një 24-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Tiranë nga forcat blu, pasi dyshohet se ka furnizuar makinën e tij me karburant duke përdorur kartëmonedha false. Kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara janë sekuestruar si provë materiale.
Nga hetimet rezultoi se 24-vjeçari ishte shpallur më parë në kërkim edhe nga Policia e Vlorës, për dy raste të tjera të së njëjtës veprimtari kriminale, të kryera gjatë muajit janar 2026.
Sipas njoftimit të policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë ndaluar shtetasin E. K., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet se më datë 24.01.2026 ka blerë karburant në një subjekt tregtar në rrugën “Egnatia”, duke përdorur 2 kartëmonedha me prerje 100 dollarë amerikanë, të cilat janë sekuestruar.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rastet e mundshme në të cilat dyshohet se mund të jetë përfshirë 24-vjeçari.
