Në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar, 34-vjeçari arrestohet në Tiranë.
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor i koduar “Operacionalja 81” është finalizuar me sukses.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Departamentit të Policisë Kriminale, në vijim të punës gjurmuese për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 81”.
Në kuadër të këtij operacioni, në qytetin e Tiranës, është bërë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe ndalimi i shtetasit Altin Shehu, 34 vjeç, banues në Domje, Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Manchester, pasi Gjykata e Kentit të Veriut në Mbretërinë e Bashkuar, më datë 15.01.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje”, sipas legjislacionit penal të Mbretërisë së Bashkuar.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet britanike, vijon procedurat për realizimin e ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar.
