Në kërkim për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, arrestohet 45-vjeçari në Durrës
Një 45-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim që prej janarit të vitit të kaluar, nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Sipas policisë, në janar 2025, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative për një person që shiste lëndë narkotike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë (DVP) Durrës kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë sekuestruar një sasi lënde narkotike të llojit kanabis. Në momentin e kontrollit, personi nuk ndodhej në banesë.
Njoftimi i policisë sqaron se operacioni policor i koduar “Masa” u finalizua me sukses për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Një 45-vjeçar, me masë sigurie “Arrest në burg”, i shpallur në kërkim prej janarit 2025, është kapur dhe vënë në pranga për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në zbatim të planit të masave të hartuar për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, si rezultat i kontrolleve të bazuara në informacione të siguruara në rrugë operative nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, është zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacioni “Masa”.
Si rezultat i operacionit, është lokalizuar dhe vënë në pranga shtetasi E. K., i njohur edhe si A. K., 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në korrik të vitit 2025, kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
