“`html
Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, arrestohet 49-vjeçari
Një 49-vjeçar është arrestuar pasi e kishte kthyer lokalin e tij në Pogradec në një qendër për shitje droge. Një 15-vjeçar, i cili kishte blerë lëndë narkotike, gjithashtu është vënë nën hetim.
Shtetasi Kastriot Sulstarova është arrestuar pasi, sipas policisë, gjatë kontrolleve në lokalin e tij në lagjen nr. 1 në Pogradec, është gjetur një sasi kanabisi. Gjithashtu, është proceduar edhe i mituri, të cilit i është gjetur një sasi e vogël kanabisi, të cilën ia kishte shitur 49-vjeçari.
Si provë materiale janë sekuestruar një sasi me lëndë narkotike, 3 celularë dhe një sasi lekësh.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Veprimtaria”. Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari. Procedohet penalisht edhe një 15-vjeçar, i cili kishte blerë një sasi lëndë narkotike nga pronari i lokalit. Sekuestrohen një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 3 celularë dhe një sasi lekësh.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në zbatim të planit të masave të hartuar për vitin 2026, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veprimtaria”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi në lagjen nr. 1, Pogradec, është gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka filluar procedimi penal edhe për një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, i është gjetur një sasi e vogël me lëndë të dyshuar cannabis, të cilën ia kishte shitur shtetasi K. S.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike, 3 celularë dhe një sasi lekësh.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
“`
