I shpallur në kërkim për krime lufte në vitet ’90, arrestohet në Poloni 79-vjeçari serb
Rojet kufitare polake ndaluan një shtetas 79-vjeçar serbo-kanadez, i cili ishte shpallur në kërkim nga Kroacia në bazë të një urdhër-arresti evropian. Ai dyshohet për përfshirje në krime lufte të ndodhura në vitin 1991.
Sipas prokurorëve, Kroacia pretendon se i dyshuari dha urdhra dhe mori pjesë në veprime, duke përfshirë ndalimin e paligjshëm, torturën dhe vrasjen e civilëve, si dhe plaçkitjen dhe zjarrvënien. Këto vepra thuhet se janë kryer ndërsa ai shërbente në forcat paraushtarake serbe gjatë luftërave ballkanike.
Burri, i identifikuar vetëm si Zivko Z. për shkak të ligjeve polake të privatësisë, u ndalua në Aeroportin Chopin të Varshavës. Ai deklaroi pafajësinë për veprat penale të cilat janë të listuara në Urdhërin Europian të Arrestit, sipas prokurorëve.
Prokurorët polakë i kanë kërkuar gjykatës leje për ta transferuar Zivko Z. në Kroaci. Atje, ai përballet me një dënim deri në 20 vjet burg në rast se shpallet fajtor.
