Mar. Gus 21st, 2018

Arrestohet autori 24-vjeçar i masakrës së Selenicës

Autori i vrasjes së 8 personave pasditen e së premtes në Resulaj të Selenicës, në Vlorë, u kap mëngjesin e së shtunës nga forcat e policisë, pas disa orëve kërkimi dhe ndjekjeje, në rrethinat afër këtij fshati.

Sipas informacioneve nga terreni, operacioni për kapjen e Ridvan Zykës, gjatë kohës që ai ishte fshehur, është zhvilluar pa situata që mund të vinin në rrezik komunitetin e zonës, ndërsa është gjetur edhe arma me të cilën u krye krimi.

Ngjarja e pasdites së të premtes çoi në humbjen e 8 jetëve. Ridvan Zyka, me kallashnikov u mori jetën 8 anëtarëve të fisit të tij me të njëjtin mbiemër.

InfoPasqyra/tch mësoi se arsyeja që çoi autorin në këtë krim të frikshëm, mendohet të jetë një konflikt për pronën. Ai vrau vëllain e gjyshit, bashkëshorten e tij, dy djemtë e çiftit dhe nipin e mbesën 14 dhe 6 vjeçe.

Ngjarja që mund të cilësohet si një nga më të rëndat në vend gjatë dekadave të fundit, nuk ka si autor një person me probleme mendore. Burime i thanë InfoPasqyra/tch se Ridvan Zyka nuk njihej si i tillë, por si një përdorues droge.

Sherri, siç mësohet nga hetuesit, nisi pas festës së fshatit. Autori ka debatuar me njërën nga viktimat për një gardh, prej së cilës është ofenduar, e në gjakftohtësi e sipër ka shkuar të marrë armën me të cilen kreu aktin makabër.

Pasi kreu vrasjet, Ridvan Zykaj u largua me shpejtësi nga vendngjarja. Policia e Vlorës e kapi atë me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s, pasi rrethoi të gjithë zonën përreth fshatit Resulaj.

Ekspertët e policisë nuk kanë ende një motiv të qartë të shkakut të ngjarjes. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipëri, pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.

Policia njoftoi këtë mëngjes se Ridvan Zykaj u shoqërua në Komisariatin e Vlorës, ku më pas do t’iu nënshrohet edhe testeve për shëndetin e tij mendor. Akuza që bie mbi autorin e krimit është “vrasja në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”.

InfoPasqyra/tch

Kategori