Arrestohet Bosi i Camorra-s në Resort Luksoz

Bosi i Camorra-s arrestohet në resortin luksoz, ku do të festonte Pashkët me familjen

Prania në rrjetet sociale dhe analiza e lëvizjeve financiare të familjarëve kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e Roberto Mazzarella nga karabinierët. Ai u kap në një resort luksoz në Vietri sul Mare, ku bosi 48-vjeçar i klanit Camorra po qëndronte me bashkëshorten dhe fëmijët për festat e Pashkëve.

Hetuesit kanë mundur ta lokalizojnë atë falë gjurmëve dixhitale dhe monitorimit të transaksioneve financiare. Në momentin e arrestimit, Mazzarella nuk ka shfaqur rezistencë.

Mazzarella ishte në listën e personave më të kërkuar nga Ministria e Brendshme italiane dhe ishte në arrati që prej 28 janarit 2025, pas një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata e Napolit. Ai dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje, e cila lidhet me konfliktin mes klanit të tij dhe Alleanza di Secondigliano. Viktima, Antonio Maione, mendohet të jetë ekzekutuar për shkak të lidhjeve familjare me një person të përfshirë në vrasjen e babait të Mazzarellës.

Gjatë operacionit në vilën ku u arrestua, karabinierët sekuestruan ora të shtrenjta, rreth 20 mijë euro cash, dokumente false, telefona dhe materiale të shkruara që mund të kenë lidhje me aktivitete financiare të paligjshme.

Scroll to Top