Publikoi videon ku ushtarët abuzonin me të burgosurin palestinez, arrestohet ish-avokatja kryesore e IDF
Ish-avokatja e përgjithshme ushtarake, Gjeneralmajor Yifat Tomer-Yerushalmi, është arrestuar. Ky arrestim vjen pas hetimeve mbi publikimin e një videoje që dyshohet se tregon abuzim ndaj një të ndaluari palestinez nga ushtarë izraelitë.
Tomer-Yerushalmi dha dorëheqjen javën e kaluar nga posti i saj në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), duke marrë përgjegjësinë për publikimin e materialit. Të dielën, ajo u raportua si e zhdukur, duke çuar në një operacion kërkimi disaorësh në një plazh në veri të Tel Avivit. Sipas policisë, ajo u gjet gjallë dhe në gjendje të mirë, por më pas u mor në paraburgim për t’u marrë në pyetje.
Pamjet që tronditën opinionin publik
Videoja në fjalë, e transmetuar fillimisht në gusht 2024 nga një kanal izraelit lajmesh, tregon ushtarë rezervë në bazën ushtarake Sde Teiman në Izraelin jugor. Ata rrethojnë një të ndaluar palestinez me mburoja kundër trazirave për të bllokuar pamjet, para se ai të dhunohej fizikisht. I ndaluari më pas u trajtua për lëndime të rënda, ndërsa pesë rezervistë u akuzuan për abuzim të rëndë dhe shkaktim dëmtimesh trupore. Ata mohojnë akuzat dhe nuk janë identifikuar publikisht.
Të hënën, mediat izraelite raportuan se i ndaluari palestinez në qendër të incidentit ishte liruar në Gaza në tetor, si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.
Një hetim penal për rrjedhjen e videos është hapur zyrtarisht javën e kaluar, gjatë të cilit Tomer-Yerushalmi ishte pezulluar nga detyra. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të premten se ajo nuk do të kthehej në postin e saj, çka çoi menjëherë në dorëheqjen e saj formale.
Në letrën e dorëheqjes, Tomer-Yerushalmi shkroi se “miratoi publikimin e materialit për të kundërshtuar propagandën e rreme kundër autoriteteve ligjzbatuese të ushtrisë”. Ajo shtoi se, pavarësisht presioneve politike, “është detyrë e ushtrisë të hetojë çdo rast të dyshuar dhune ndaj të ndaluarve.”
