Një ish-oficer policie francez është arrestuar në Portugali, pasi dyshohet se ka vrarë ish-të dashurën dhe partneren e tij aktuale. Trupat e tyre u gjetën të varrosura në zonën Serra da Nogueira të qytetit Bragança.
42-vjeçari, i njohur si Cedric Prison, ishte në kërkim nga autoritetet franceze prej katër ditësh. Ai u arrestua të martën, më 24 mars, gjatë një kontrolli të policisë (GNR) në Rrugën Kombëtare 102, në Menta, Qarku Guarda. Gjatë kontrollit, ai u arrestua për falsifikim dokumentesh dhe posedim të paligjshëm të një arme.
Në automjetin e tij ndodheshin edhe dy fëmijët e tij të mitur, 13 muajsh dhe 18 muajsh. Fëmijët u gjetën në gjendje të mirë dhe u dërguan në një strehë.
Pas arrestimit, autoritetet portugeze mësuan se 42-vjeçari kërkohej nga Franca edhe për dyshimin e rrëmbimit të fëmijëve të të dy grave. Në një deklaratë, GNR bëri të ditur se gjatë kontrollit, rezultoi se ai ishte regjistruar si i dyshuar për krime të rënda, duke përfshirë rrëmbim dhe dyshim për vrasje. Policia Gjyqësore u njoftua menjëherë.
Sipas agjencisë AFP, dy gratë ishin raportuar të zhdukura të premten e kaluar në rajonin Aveyron, në Francën jugore. Një i afërm i ish-partnerit të tij shqetësohej pasi ai nuk u paraqit në punë, fëmija mungonte në shkollë dhe nuk kishte pasur kontakt.
Sipas mediave portugeze, djali më i madh i francezit dyshohet se ka dhënë informacion që i ka drejtuar autoritetet drejt Serra da Nogueira, ku u gjetën trupat e dy grave, rreth 150 kilometra larg vendit të kontrollit.
Burime nga AFP raportojnë se oficerë të xhandarmërisë franceze mund të udhëtojnë drejt Portugalisë, ndërsa hetimi po mbikëqyret nga zyra e prokurorit të Montpellier.
Mediat franceze kanë raportuar se 42-vjeçari ishte i papunë, ish-oficer policie dhe lojtar regbi. Ai kishte humbur kujdestarinë e fëmijëve të tij dhe ishte dënuar për dhunë në familje ndaj ish-partneres së tij. Në vitin 2021, ai kishte udhëtuar ilegalisht me djalin e tij të madh drejt Spanjës, ku qëndruan për javë të tëra.
Cedric Prison gjithashtu shfaqej në rrjetet sociale si krijues përmbajtjeje, duke pretenduar shpesh se djali i tij i madh ishte në rrezik.
