Arrestohet organizatori i vrasjes së kryebashkiakut të Uruapan

Arrestohet organizatori i vrasjes së kryetarit të bashkisë së Uruapan në Meksikë

Autoritetet meksikane njoftuan të mërkurën arrestimin e njërit prej organizatorëve të dyshuar të vrasjes së kryetarit të bashkisë së Uruapan, një ngjarje që shkaktoi protesta antiqeveritare dhe çoi në përforcimin e forcave federale në shtetin ku ndodhi.

Carlos Manzo, kryetari 40-vjeçar i Uruapan, i cili kishte shpallur “luftë” kundër karteleve, aktivitetet e të cilave përshkruhen si një gangrenë në rajon, u vra nga një person i armatosur më 1 nëntor, gjatë një eventi publik. Vrasja shkaktoi protesta masive në qytete anembanë vendit.

Arrestimi konsiderohet vendimtar

Qeveria e Presidentes Claudia Sheinbaum njoftoi arrestimin e një të dyshuari, të cilin e përshkroi si “një nga nxitësit” e krimit. Gjatë një konference për shtyp, Ministri i Sigurisë Publike, Omar Garcia Harfouz, shpjegoi se personi i arrestuar është kreu i një qelize kriminale që planifikoi vrasjen. Ai u dha udhëzime anëtarëve të një organizate kriminale dhe i trajnoi ata në përdorimin e armëve.

“Ky arrestim është një hap kyç në çmontimin e strukturës kriminale përgjegjëse për sulmin” kundër zyrtarit të zgjedhur vendor, theksoi Ministri Harfouz, duke siguruar se do të ketë më shumë arrestime.

Sipas shtypit meksikan, vrasja e Carlos Manzos i atribuohet Kartelit të fuqishëm të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (JNGC).

Shumë qytetarë kërkuan drejtësi për krimin gjatë një tubimi të shtunën në kryeqytet, ku denoncuan politikën e qeverisë përballë dhunës së karteleve. Gjatë protestave shpërthyen trazira, me rreth njëqind të plagosur, shumica prej të cilëve oficerë policie.

Shteti i Michoacan, me një vijë bregdetare në Oqeanin Paqësor, ka një prodhim të madh bujqësor, por është shkatërruar kryesisht nga bandat e angazhuara në trafikun e drogës, veçanërisht KNGH.

Kryebashkiaku Manzo kishte një prani veçanërisht aktive në rrjetet sociale, ku denonconte pasigurinë në shtet dhe kërkonte mbështetje nga shteti federal për ta përballuar atë. Ai njihej për paraqitjen e tij pranë forcave të sigurisë gjatë ndjekjeve të të dyshuarve, madje edhe me helikopterë. Disa e quanin “Bukele meksikan”, duke iu referuar presidentit të El Salvadorit, i njohur për “luftën” që shpalli kundër bandave.

Scroll to Top