Portieri i skuadrës së Tërbunit, Brajan Marku, është arrestuar dje pas ndeshjes së zhvilluar kundër Kukësit në Kupën e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të policisë, 22-vjeçari dyshohet të ketë dhunuar një punonjës të Policisë Bashkiake të Kukësit për motive të dobëta.
Ndeshja, e cila u fitua nga Kukësi me rezultatin 3-1 pas kohës shtesë, bëri që skuadra vendase të kualifikohet në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
Njoftimi zyrtar i Policisë sqaron se specialistët e Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan shtetasin B. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili është portier i skuadrës së futbollit “Tërbuni”. Arrestimi u krye pasi në përfundim të ndeshjes së futbollit “Kukësi- Tërbuni”, në stadiumin “Kukës Arena”, ka dhunuar, për motive të dobëta, një punonjës të Policisë Bashkiake Kukës.