Grabiti udhëtarët në një autobus, arrestohet i riu shqiptar në Gjermani
Policia gjermane ka arrestuar një 30-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet të jetë një nga autorët e grabitjes së një autobusi udhëtarësh, ngjarje që ndodhi një javë më parë në Gjermani.
Sipas mediave gjermane, ngjarja ka ndodhur gjatë natës, teksa autobusi po udhëtonte në autostradën e Bavarisë së Poshtme. Tre persona thuhet se kanë ndaluar automjetin për ta grabitur.
Autoritetet konfirmuan se shtetasi shqiptar është një nga tre personat e përfshirë në grabitje, ndërsa hetimet për dy autorët e tjerë po vijojnë intensivisht.
Pas grabitjes, autorët janë larguar me makinë. Sipas policisë, ata kanë vjedhur para dhe dokumente nga shoferi. Autobusi i grabitur raportohet të ketë qenë duke ardhur nga jashtë vendit.
Raportet fillestare pas incidentit tregonin se edhe pasagjerët ishin grabitur. Sipas policisë, tre autorët e dyshuar kishin me vete armë zjarri. Megjithatë, asnjë nga pasagjerët e autobusit nuk është kërcënuar apo plagosur.
