Arsenali lëshon pikë, barazim dramatik ndaj Sandërlendit

VIDEO/ Barazim dramatik ndaj Sandërlendit të Xhakës, Arsenali fillon të lëshojë terren në Premier Ligë! Broja merr minuta para Kombëtares

Një barazim dramatik me shifrat 2 me 2 u regjistrua mes Sandërlendit, ku aktivizohet Granit Xhaka, dhe kryesuesve të Arsenalit. “Topçinjtë” kanë filluar të lëshojnë disi terren, duke i dhënë një asist ndjekësve të Mançester Sitit për të ngushtuar diferencën.

Vendasit e Sandërlendit kaluan të parët në avantazh në minutën e 36-të me qëndërmbrojtësin Ballard. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0.

Në minutat 54 dhe 74, Arsenali përmbysi përkohësisht shifrat me anë të golave të shënuar nga Saka dhe Trosard. Kur u mendua që dueli do të mbyllej me triumfin e skuadrës së Artetës, ishte Brobei, i cili në minutën e 90+4, shënoi golin e barazimit.

Falë këtij barazimi, Sandërlend mban vendin e tretë me 19 pikë, ndërkohë që Arsenali kryeson me 26 pikë, 7 më shumë se Siti, që ka një ndeshje më pak.

Në duelet e tjera të pasdites së sotme në Premier Ligë, Bërnli i Armando Brojës u mposht me rezultatin 3 me 2 ndaj Uest Hemit. Sulmuesi shqiptar u aktivizua në minutën e 71-të të sfidës. Ky rezultat shihet si një lajm pozitiv para grumbullimit të Brojës me Kombëtaren.

Në duelin tjetër të orës 16:00, Evertoni mposhti në shtëpi Fulhemin me rezultatin 2 me 0. PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top