Arta Dade flet për gjendjen e Fatos Nanos
Si një nga figurat e shquara të Partisë Socialiste, Arta Dade ka qenë pranë Fatos Nanos. Ish-kryeministri i Shqipërisë ditët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të shëndetit të tij, pasi ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Në programin “Rudina” në TV Klan, Arta Dade ka folur pikërisht për këtë ngjarje, duke treguar respekt për privatësinë e familjes. Ajo rikthehet edhe te koha e themelimit të PS, duke theksuar se Nano ishte një shtysë për t’u bërë pjesë e saj, për shkak të vizionit të tij.
Arta Dade tha: “Unë kam pyetur miq që i kanë të afërt, por duke respektuar edhe atë që familja ka kërkuar. Besoj që Fatosi ka qenë një nga nxitësit apo shtysat që unë, kur u themelua PS dhe Fatosi u zgjodh kryetar, nuk kam qenë anëtare fare. Në Kongres isha me një ftesë, isha pedagoge, madje po prisnin studentët për provimin se ishte qershor. I thashë Ermelindës para se të zgjidhej sepse për kohën ishte një i ri me prirje liberale, sigurisht me formimin social-demokrat, por edhe i formuar nga ana intelektuale, me gjuhë të huaja, e shihte jetën ndryshe. Kishte marrë pjesë edhe në programin që ishte hartuar për themelimin e PS dhe dihej që mund të bënte më të mirën për Shqipërinë dhe ishte një lloj nxitjeje.”
Emri i Nanos është përmendur edhe si një kandidaturë e mundshme për president, pavarësisht se ai nuk e mori kurrë këtë detyrë. Arta Dade mendon se ky pozicion i mungon në arritjet e tij.
Arta Dade shtoi: “Besoj që po, por ngjarjet rrodhën. Pasi Fatosi u largua, dhe me keqardhje që u largua në moshën 53-vjeçare nga politika, sepse mund t’i ishte dhënë politikës shqiptare. PS doli në opozitë dhe u ndryshua edhe lideri. Pastaj Fatosi nuk ishte më i angazhuar dhe mesa duket, ndoshta shpresonte që mazhoranca dhe lideri i asaj kohe mund të bënin diçka. Fatosi mund të ishte një president shumë i mirë për Shqipërinë.”
Duke iu rikthyer gjendjes shëndetësore të Nanos, ish-deputetja uroi më të mirat për të dhe familjen e tij.
Arta Dade deklaroi: “Tashmë i urojmë shëndet. Ka kohë që ka pasur probleme shëndetësore. Unë uroj që të jetë mirë dhe çdo gjë të mirë familjes së tij.”
